Këshilla për shërbimin e verës në restorant
Për të vazhduar me seksionin e artikujve tek “Bota e Verës”, kemi zgjedhur një temë e cila mund t’ju vijë në ndihmë kryesisht personave që punojnë në restorante apo në lokale që shërbejnë verë. Megjithatë, një pjesë e principeve që do të përmenden në vijim, vlen edhe për përdoruesit në shtëpi.
Shërbimi i verës në një restorant nuk ka pse të jetë i komplikuar, kështu që për të gjithë ata që hasin vështirësi në shërbim, ja ku kemi një video e cila sqaron dhe detajet më të vogla të këtij procesi.
Duke qenë se video është vetëm në anglisht, menduam që pikat kryesore që mbulohen prej saj të mund ti lexonit edhe në shqip. Për këtë arsye, videon e kemi ndarë në tre seksione:
- Ruajtja e verës në temperaturat e duhura të shërbimit
- Vera e bardhë dhe roze’ shërbehen të ftohta.
- Vera e kuqe shërbehet me temperaturën e dhomës.
- Hapeni verën e kuqe menjëherë pas prezantimit tek klienti për të siguruar që të marrë “frymë”.
- Hapja e shishes së verës
- Përdorni hapësen e quajtur “Miku i kamarierit” (shih foto këtu).
- Hiqni mbrojtësen e tapës me pjesën e mprehtë të hapëses (thikën e vogël).
- Futeni hapësen në pozicionin dhe thellësinë e duhur.
- Poziciononi kapësen e hekurt në pozicionin e ngritjes dhe sigurohuni të jetë e shtrënguar mirë në atë pozicion.
- Nxirreni tapën në mënyrë të pastër duke e ngritur gradualisht sipër.
- Përdorni një pecetë të pastër për të pastruar grykën e shishes.
- Hiqni tapën nga hapësja dhe merrini erë për tu siguruar që vera është e konsumueshme.
- Lejohet që ta vendosni tapën në një pjatë në krah të tavolinës, në mënyrë që klienti ti marrë erë nëse dëshiron.
- Hedhja e verës
- Ofrojini pak verë në gotë klientit në mënyrë që ta provojë dhe të aprovojë zgjedhjen nëse është i kënaqur.
- Mbajeni shishen në pozicionin e hedhjes, duke mbajtur një pecetë nëse duhet.
- Hidhni verën në gotën e duhur, duke u siguruar që shishja të mos prekë buzët e gotës.
- Vazhdoni të hidhni verë në gotë deri sa të arrihet niveli maksimal diametrit të mesëm të gotës.
- Rrotullojeni lehtësisht shishen kur po mbaroni hedhjen në gotë, në mënyrë që të evitoni pikimin e verës në tryezë.
- Mos derdhni verë në pjesën e jashtme të gotës ose mbi pecetë!
- Tregohuni të kujdesshëm të evitoni hedhjen e sedimenteve ndërsa vera i afrohet fundit të shishes.
Grafiku në vijim ju ndihmon dhe për nivelin e mbushjes së gotave sipas llojit të verës që po shërbeni.
Burim: Academy of Food and Wine