Pse dhe kur duhet dekantuar vera

Pse dhe kur duhet dekantuar vera

Duket sikur shërbimi i një vere duhet të jetë mjaft i lehtë: Vetëm për të hapur shishen dhe hedhur në gota. Por kushdo që ka luftuar ndonjëherë me një tapë shkatarraqe ose dëgjuar për një debat mbi një Cabernet Sauvignon që ka nevojë të “ajroset” më shumë, e di se nganjëherë kjo nuk gjë nuk është kaq e thjeshtë.

Dekantimi është një nga ato elemente të shërbimit verës që mbetet misterioz për pijedashësit: Cilat vera kanë nevojë për dekantim? Kur bëhet kjo? Dhe si? A është vërtetë e nevojshme, ose vetëm një lojë për ta bërë verën më interesante?

Dekantimi shërben për dy qëllime: për të ndarë një verë nga ndonjë sediment që mund të ketë formuar dhe për të ajrosur një verë me shpresë se aromat dhe shija e saj do të jenë më të gjalla kur ta shërbejmë.

Ndarja nga sedimentet

Verat e vjetra natyrisht prodhojnë sedimente në bazë të moshës së tyre (vera e bardhë rrallë). Ngjyra e pigmenteve dhe taninet krijojnë lidhje së bashku duke krijuar sedimentet të cilat bien në fund të shishes. Nxjerrja e sedimenteve kur hedhim verën në gotë errësojnë pamjen e verës dhe mund ti japin një shije të hidhur dhe një cilësi prej rëre. Kjo nuk është e dëmshme, por patjetër ul kënaqësinë në pirjen e verës. Dekantimi është thjesht proçesi që ndan sedimentet nga vera. Supozohet se një verë e kuqe pas 5 deri në 10 vjet në shishe do të ketë grumbulluar sedimente, edhe në qoftë se kjo nuk mund të vërtetohet me sy, duhet të dekantohet.

Këtu është mënyra si ta bëjmë më mirë:

  1. Vendoseni shishen drejt për 24 orë ose më shumë para se të pini, kështu që sedimentet të bien në fund të shishes, duke lehtësuar ndarjen.
  2. Merrni një dekanter qelqi transparent të pastër.
  3. Fshini qafën e shishes në mënyrë që të shikoni qartë.
  4. Qëndroni afër një drite në mënyrë që të shikoni verën që hidhet në dekanter.
  5. Hidhni verën drejt dekanterit ngadalë dhe në mënyrë të qëndrueshme, pa u ndalur. Kur të jeni në gjysmën e poshtme të shishes, hidheni edhe më ngadalë.
  6. Ndaloni sa më shpejt në momentin që shikoni sedimente tek qafa e shishes apo kur shihni që ngjyra e verës po turbullohet.
  7. Vera tani është gati për të shërbyer. Pjesën me sedimente mund ta lini në shishe.

Lirimi i aromave

Krahas arsyes së pastrimit nga sedimentet, dekantimi ndihmon edhe në lirimin e aromave të verës, në mënyrë që shija e sa të plotësohet akoma më tej. Çështja se sa kohë duhet ajrosur një verë mund të gjenerojë debat të gjerë në mesin e profesionistëve të verës.

Disa mendojnë se një nxitje shtesë e oksigjenit mund të rrisë aromat dhe shijen verës. Nëse ju keni hapur një verë dhe ju duket me shije të ndrydhur në momentin e parë, mund të provoni ta ajrosni në një dekanter për të parë nëse aroma dhe shija do te egzaltohen. Të tjerë mendojnë se dekantimi bën që një verë të zbehet më shpejt nqs është e re. Plus, ju mund të humbni disa faza interesante të ndryshimit të shijes së verës nga hapja deri tek pirja, gjë që dekanteri e përshpejton.

Nëse keni ende kuriozitet ndaj këtij proçesi, Bota e Verës ju rekomandon të eksperimentoni me disa shishe të së njëjtës verë, një herë duke e dekantuar dhe një herë jo, apo duke provuar verë të dekantuar dhe të padekantuar për periudha të ndryshme kohore dhe më pas të zgjidhni vetë mënyrën se si e preferoni më shumë verën.

Burim: Wine Spectator